RMV vendos orë policore, por nuk mbyll kufinjtë

Lajme

Për shkak se lloji britanik i virusit korona po shpërndahet në mënyrë të pakontrolluar në RMV, qeveria solli kufizime të reja që hyn në fuqi nga dita e martë 6 prill 2021.

Kufizimet janë me orë policore nga ora 20.00 deri më ora 05.00 dhe mbyllje të lokaleve gastronomike më herët.

“Ndalesë dhe regjim i veçantë i lëvizjes së qytetarëve në territorin e RMV në periudhën kohore nga ora 20 deri në orën 5 të mëngjesit, duke filluar nga 6 prilli 2021”, tha Zoran Zaev – kryeministër.

Tërësisht mbyllen edhe objektet gastronomike, lejohet shitja e ushqimeve përmes mënyrave alternative ose porosi përmes telefonit me dërgesë.

Në fuqi hyn edhe ndalesa për punën e palestrave, bastoreve si dhe ndalesë për mbajtjen e konferencave dhe trajnimeve.

Personat që kanë kafshë shtëpiake – qen, mund ta shëtisin nga ora 22 deri në orën 23 deri në 100 metra nga vendi i jetesës.

“Nuk kemi masa shtesë për mbylljen e pikave kufitare për shkak se është vërtetuar se infektimi shpërndahet në vend dhe të gjithë vendet tjera janë me kufizime të caktuara, posaçërisht me mbylljen e objekteve gastronomike nuk ka kuptim për mbyllje shtesë të kufijve”, u shpreh Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Nga Shtabi i krizave apelojnë që dy javët e ardhshme qytetarët të qëndrojnë në shtëpi dhe të respektohen masat: distancë, mbajtja e maskave dhe larja e duarve.

Nga: Bardhyl Islami