Me 71 vota PËR, nga 82 deputetë sa morrën pjesë në votim në kuvendin e Kosovës, znj. Vjosa Osmani-Sadriu fitoi postin e kryetarit të shtetit me mandat pesë vjeçar. Znj. Vjosa është kryetarja e gjashtë e shtetit të Kosovës që nga pavarësia e saj nga pushtimi serb.
Vjosa Osmani-Sadriu, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë së Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, u bë personi më i votuar ndonjëherë në Kosovë, me mbi 300 mijë vota.
Ajo vjen nga partia LDK ku ka kontribuar në këtë parti që në moshën e rinisë, por ajo u shkarkua nga pozitat udhëheqëse të LDK’së dhe në zgjedhjet e fundit parlamentare ajo garoi me listën e vet të deputetëve.
Para se të votohej kryetare e vendit, znj. Vjosa ushtroi detyrën e kryetares së shtetit, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga ky post dhe më parë ishte kryeparlametare.
Urojmë që kryetarja e Republikës së Kosovës të ushtrojë detyrën e kryetares me përgjegjësi, përkushtim dhe të përfaqësojë denjësisht gjithë popullin e Kosovës.
Nga: Bardhyl Islami