Kryetari i Tetovës z. Bilall Kasami në vizitë zyrtare në Danimarkë

Lajme

Kryetari i Tetovës z.Bilall Kasami së bashku me kabinetin e tij ishte për vizitë zyrtare pesë ditore në Kopenhagë. Ai u takua me zyrtarë dhe udhëheqës të këtij qyteti si dhe me kryetarin e komunës së Ballerup’it z. Jesper Würtzen për të hapur një kapitull të ri bashkëpunimi për qytetin e Tetovës si dhe për të tërhequr investitorë danez në Tetovë.

Në kuadër të kësaj vizite, z.Bilall Kasami i shoqëruar nga ambasadori i RMV’së në Danimarkë z.Faton Bejta, pati takime edhe me afaristë dhe intelektualë nga vendi ynë, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Kopenhagë dhe që janë integruar në jetën profesionale dhe shoqërore të Danimarkës.

Në këto takime u bisedua për sukseset e diasporës në vendin ku punojnë dhe për sfidat që përballet komuna e Tetovës. Bashkatdhetarët shprehën brengën e tyre të asimilimit por njëkohësisht shprehën gatishmëri që me potencialin e tyre të kontribuojnë në zhvillimin e qytetit të Tetovës, duke vënë në dispozicion kapacitetet e tyre intelektuale, profesionale dhe financiare.

Kryetari i Tetovës z.Bilall Kasami u nda shumë i kënaqur nga mikpritja daneze, nga shoqërimi i ambasadorit z.Faton Bejta si dhe nga mikpritja e ngrohtë vëllazërore e bashkatdhetarëve tanë në Danimarkë. Ai ndau dhe mirënjohje për afaristë, humanistë, intelektualë dhe personalitete të njohura shqiptare që kanë kontribuar dhe promovuar vlerat kulturore shqiptare në Danimarkë.

Nga: Bardhyl Islami