Ali Ceka është 74 vjeçar nga Tearca e Tetovës dhe që nga mosha 60 vjeçare merret me paragliding. Ky lloj sporti i ngjan parashutizmit por për dallim nga parashutizmi ku vetëm lëshohesh drejt pingul për toke, me paragliding ke mundësi të fluturosh në shumë drejtime dhe ke mundësi ta drejtosh vet paraglidingun (velën).
Z.Aliu me energjinë fizike dhe psiqike që posedon nuk njeh moshë dhe ai gjithnjë reflekton pozitivitet, energji dhe motivacion për një jetë vitale dhe me shumë aktivitete. Në momentin që moti është i mirë dhe është i përshtatshëm për fluturim, z.Aliu menjëherë merr përgatitjet dhe lëshohet nga bjeshkët e malit Sharr.
Për t’u marr me këtë lloj sporti duhet me qenë i shëndoshë dhe pa asnjë sëmundje kronike. Fatmirësisht z.Aliu me kujdesin dhe disiplinën që ka ndaj trupit të tij, të le lakminë se si secili nga ne duhet me u kujdes për shëndetin dhe trupin tonë.
Ideja për me u marr me këtë lloj sporti, z.Aliu e ka patur që më herët, por për shkak se ky lloj sporti kërkon kohë, përgatitje fizike dhe mendore si dhe kushton, z.Aliu filloi të merret me paragliding pasi doli në pension.
Tre muaj para se me u lëshua të fluturojë për herë të parë në qiell me paragliding, z.Aliu ka marrë kursin përgatitor për fluturim dhe për herë të parë ka fluturuar në bjeshkën e Mavrovës në RMV. Z.Aliu është anëtarë i klubit të paraglidingut Luboten nga Tetova i cili klub përbëhet nga 6 anëtarë 3 shqiptarë dhe 3 maqedonas. Ai shprehet se gjithësej në RMV ka 6 shqiptarë që merren me paragliding, 3 nga Tetova dhe 3 nga Gostivari. Vlen të theksohet se një nga këto 6 është femër dhe quhet Drita Abdiu nga fsh.Xhepçisht i Tetovës.
Aliu dhe klubi i tij, fluturimet më të shpeshta i bëjnë në bjeshkët e malit Sharr, por ai merr pjesë edhe në gara dhe ka fluturuar edhe në shtetet e Ballkanit, Slloveni dhe Itali. Ai edhe pse merr pjesë në gara, nuk garon për të fituar çmim por thjesht e ka vetëm për hobi. Z.Aliu ka marr vetëm një çmim deri më tani dhe ai është çmimi si paragliding’isti më i vjetër.
Ky sport është edhe shumë i rrezikshëm, por z.Aliu na tregon se është edhe sport i sigurtë nëse je i kujdesshëm dhe nëse nuk eksebicionon në ajër dhe nëse fluturon me parashutën rezerve me vete. Viteve të fundit ka patur dy raste tragjike në Kosovë dhe të dy rastet kanë ndodhur nga pakujdesia.
Për të fluturuar me paragliding duhet të informohet aeroporti më i afërt në atë shtet, për vendin dhe lartësinë ku fluturojnë me paragliding. Me paragliding në RMV lejohet të fluturohet deri më 4.000 m lartësi mbidetare. Në disa shtete lejohet edhe mbi 4.000m por në ato raste duhet patur bocë oksigjeni rezerv me vete. Z.Aliu ka provuar të fluturojë deri më 3.900 m lartësi mbidetare dhe deri më 60km/h.
Koha më e përshtatshme për të fluturuar me paragliding është nga muaji shtator deri në prill ose maj. Në këto muaj moti është relativisht pa ndryshime të temperaturës në ajër, gjë që nuk shkakton turbulenca. Stina e verës nuk është e përshtatshme sepse ajri ngrohet shumë dhe shkakton turbulenca dhe me një pakujdesi të vogël mund të shkaktohet edhe aksident.
Është për t’u habit dhe është për të ardhur keq fakti që z.Aliun nuk e njohin shumë në Tetovë dhe në mbarë Shqiptarinë dhe asnjë ndihmë dhe përkrahje nuk ka nga shteti dhe komuna e Tearcës ose e Tetovës!
Z.Ali Ceka’s i urojmë jetë gjatë, shëndet të plotë dhe fat e suksese në fluturimet e tij me paragliding.
Nga: Bardhyl Islami