Tetova i kishte dy të tilla: kinema “19 Nëntori” dhe “Vëllazërimi” (Bratstvo).
Me dekada të tëra nuk ekziston më në qytetin tonë fjala KINEMA. Sot asnjëri e as tjetri nuk funksionojnë. I pari, (shihni më poshtë në foto rrënojat e objektit të vjetër). Kaloja rastësisht aty pari dhe më rastisi të jem dëshmitar i aktit të rrënimit kështu që pata rastin të shkrepi këto foto. Tash në vend të tij është ndërtuar një objekt i ri afarist, kompleks tregtar , kurse i dyti është kthyer në një bingo në po të njëjtin objekt (shih fotot).
Kujtimet më kthejnë në vitet e shtatëdhjeta, të shekullit të kaluar ku si nxënës të shkollës fillore “Kultura” të fshatit Gajre dhe më pas në shkollën fillore “Istigball”, të organizuar na sillnin për të parë filmat shqiptar si “Debatik”, “Lulekuqe mbi Mure”, “Gjeneral Gramafoni”, e shumë filma tjerë.
Karakteristik e kinemasë “19 Nëntori” ishte se, duke pasur edhe pak hapësirë të vogël skenike, mund të shfrytëzohej edhe si skenë teatri, kuptohet, për ndonjë vepër me pak personazh, si për shembull, më kujtohet shfaqja e dramës “Emigranti” nga teatri i Prishtinës.
Ishte kënaqësi e papërshkrueshme…nostalgji, emocione… thënë shkurt e shqip ishte një shkas për ta dashur e çmuar kulturën dhe artin e popullit tonë edhe ashtu siç ishte dhe diktonte sistemi, si këtej ashtu edhe andej kufirit.
Sqarim. Fotografitë janë të gjitha nga foto albumi im personal, bën përjashtim vetëm fotografia me pamjen e brendshme që është e huazuar dhe e përpunuar nga unë, s’ka të bëjë me asnjërin nga kinematë në fjalë. E zgjodha këtë foto sepse ka ngjashmëri me kinemanë “19Nentori”.
Nga: Nebi Jusufi