Nën organizimin e Shoqatës Daneze-Shqiptare (DAF), të hënën me 28 tetor, në Kopenhagë u prezantua libri me fotografi, i fotografit danez të luftës z.Thomas Sjørup.
Në këtë mbrëmje prezantuese, me foto dhe fjalë, z.Thomas ndau përvojat dhe përjetimet e tij si fotograf lufte në Kosovë në vitet 1998-1999. Ai prezantoi dhe komentoi çdo fotografi me një përjetim dhe histori të ngjarjeve që u prezantoheshin në fotografi.
Një nga fotografitë që bëri një heshtje të të pranishmive në sallë dhe që ua thau pështymën në fyt gjithë të pranishmëve, ishte rasti i Abullahut i cili ishte kërcënuar nga paramilitarët serb, që të zgjidhte vetëm njërin nga dy djemtë e tij 17 vjeç dhe 13 vjeç. Abdullahu ishte dashur të vendose se cili prej tyre të jetonte dhe cili të merret për tu masakruar nga serbët. Ai kishte zgjedhur 17 vjeçarin që t’i ndihmonte të luftojnë bashkë për çlirimin e Kosovës, ndërkaq djalin 13 vjeçar ia kishin marrë serbet dhe ia kishin prerë kokën dhe i kishin varrosur në varreza masive. Fotografi e rëndë ishte për t’u parë, fotografia kur Abdullahu kishte gjetur djalin 13 vjeçar të masakruar!
Libri “Kosova në luftë” është libër me fotografi që ka bërë vet autori, ka shkruar dhe dizajnuar poashtu vet. Libri është sponsorizuar për publikim nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës.
I pranishëm në mbrëmje ishte dhe Konsulli i R.Kosovës, z.Valdrin Grainca i cili përshëndeti të pranishmit me një fjalim, duke falënderuar z.Thomas për punën e madhe që ka bërë për Kosovën.
Libri është vetëm në gjuhën angleze dhe ende nuk ka dalë në shitje, por pritet së shpejti të dalë në shitje.
Nga: Bardhyl Islami