Danimarka hap kufijtë nga 15 qershori, por me kushte!

Lajme

Sot në një konferencë për shtyp nga zyrat e kryeministrisë së Danimarkës, kryeministresha znj. Mette Frederiksen njoftoi opinionin se nga data 15 qershor do ti hap kufijtë vetëm me tri shtete: Gjermaninë, Norvegjinë dhe Islandën. Me këtë vendim do të lejohet që turistët nga këto shtete dhe danezët të vizitojnë shtetet e njëri tjetrit nga 15 qershori.

Kryeministresha e Danimarkës rekomandoi banorët e Danimarkës që mos të planifikojnë dhe mos të udhëtojnë në vendet tjera deri më 31 gusht 2020. Ajo deklaroi se pas pushimit veror, nëse gjithçka shkon mirë, do të hap kufijtë e Danimarkës edhe për shtetet e Shengenit dhe për Britaninë e Madhe.

Banorët e Danimarkës që do të hyjnë në Danimarkë nga shtete tjera përveç Gjermanisë, Norvegjisë dhe Islandës, do të duhet të qëndrojnë në karantinë 14 ditë. Me këtë vendim, i bie që diaspora shqiptare që banon në Danimarkë sivjet nuk do të mund të udhëtojë për pushim veror në atdhe!

Turistët nga këto tri shtete, që do t’a vizitojnë Danimarkën, do të duhet t’i plotësojnë disa kushte:

  • T’i nënshtrohen testimit për coronavirusin në vendkalimet kufitare
  • Të kenë të rezervuar një vend banimi mbi 6 net me adresë banimi jashtë Kopenhagës (ata mund ta vizitojnë Kopenhagën por jo dhe të bujnë)
  • Banorët e Danimarkës, nuk do të jenë të obliguar t’i nënshtrohen testit pas kthimit nga këto tri shtete
  • Nëse një turist del pozitiv me coronavirus, atëherë përfshihet nga masat e Ministrisë së Shëndetësisë së Danimarkës, ndër tjera vetizolim
  • Nëse një turist ka simptoma të qarta të coronavirusit, si kollitje dhe temperaturë, do t’i refuzohet hyrja në Danimarkë
  • Vendkalimet kufitare do të kontrollohen nga policia e Danimarkës

Danimarka e ka të mbyllur kufirin edhe për Suedinë, me të cilën këto ditë qeveritë e të dyja shteteve janë duke u marrë vesh se a do ta hapin kufirin dhe në çfarë mënyre.

Kufijtë e Danimarkës janë mbyllur që nga 14 Mars, kur ato u mbyllën për të zvogëluar përhapjen e coronavirusit.

Nga: Bardhyl Islami