Vetëm 59 ditë zgjati “jeta normale” në Danimarkë pa asnjë kufizim për pandeminë me virusin corona (covid-19). Me 10 shtator 2021, qeveria e Danimarkës shpalli infektimin me covid-19, si sëmundje jokritike për shoqërinë, ndërsa sonte me 8 nëntor 2021 qeveria e Danimarkës mbajti konferencë për mediumet dhe propozoi parlamentit që nga nesër me 9 nëntor, infektimi me virusin covid-19 të shpallet sëmundje kritike për shoqërinë, me çka qeveria të mund të vendose kufizime për parandalimin e infektimit me covid-19.
Kryeministresha e Danimarkës znj. Mette Frederiksen së bashku me gjithë qeverinë dhe komisionin & këshillin epidemiologjik të Danimarkës, ditëve të fundit kanë pasur shumë takime për shkak të gjendjes alarmante të të infektuarve dhe të shtuarve në spital me covid-19 në Danimarkë. Numri i të infektuarve këto ditë është rritur shumë, afërsisht 2.500 në ditë dhe është numër më i lartë duke krahasuar me ditët me më shumë të infektuar gjatë këtij viti. Gjithashtu edhe numri i të shtruarve në spital ka arritur në afërsisht 300. Këto numra ditëve të fundit sa vijnë e rriten.
Për shkak të kësaj gjendje, qeveria e Danimarkës dëshiron të mbrojë banorët e vaksinuar dhe të pa-vaksinuar duke përdorur coronapas (corona pasaportin) në disa vende ku frekuentojnë shumë banorë, psh. në restorante, klube nate, diskoteka, spitale, qendra për pleq, mbi 200 persona në lokale të mbyllura dhe mbi 2.000 persona në lokale të hapura.
PS. Qeveria e Danimarkës me 27 gusht vendosi që nga 10 shtatori covid-19 të mos kategorizohet më si sëmundje kritike për shoqërinë daneze në vend dhe nga kjo datë u hoqën gjitha kufizimet epidemiologjike në Danimarkë. Edhe pse jeta vazhdoi të jetohet normale në Danimarkë, prapëseprapë qeveria daneze preferonte që të mbahet higjiena e duarve, të teshtihet dhe kollitet në krah dhe të mbahet distanca.
Nga: Bardhyl Islami
Burim info: sst.dk & ssi.dk