Maqedonia e Veriut festoi 30 vjetorin e pavarësisë

Lajme

Republika e Maqedonisë së Veriut me 8 shtator 2021 festoi 30-vjetorin e pavarësisë si shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet që është i përkushtuar në aspiratën për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian (BE).

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, pjesë e së cilës ishte RMV, ndodhi si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të 1990 të shekullit të 20-të.

Pavarësia e shtetit të RMV’së u arrit me 8 shtator 1991 pas referendumit që u mbajt, ku shumica e banorëve u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.

Më 25 janar të vitit 1991, u miratua Deklarata për Pavarësi e Parlamentit të parë shumë-partiak të Maqedonisë. Pas miratimit të deklaratës së pavarësisë, si një hap i rëndësishëm për shtetin vijoi miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991.

Pas shpalljes së pavarësisë, ndër shtetet e para që e pranuan shtetësinë e Maqedonisë ishin Turqia, Bullgaria, Shqipëria, Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë dhe Hercegovina, e më pas edhe shtetet e tjera.

Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë nga ana e Kuvendit më 27 janar të vitit 1991.

Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e DENAR’it më 26 prill të vitit 1991, ndërsa më pas bëri edhe armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.

Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotfuqishme e organizatës botërore.

 

Nga: Bardhyl Islami