Emigracioni në Maqedoni, shqiptarët rreth 400 mijë

Lajme
Maqedonia është e pozicionuar në vendin e 23-të në grupin e 25 vendeve me më shumë emigrantë në botë, thuhet në një raport të Bankës Botërore. Gjithsej 21,9 për qind e popullsisë së vendit, sipas të dhënave zyrtare, janë të evidentuar si emigrantë në shumë vende të botës. Banka Botërore ka raportuar se rreth 447 mijë qytetarë të Maqedonisë kanë emigruar nga vendi përkitazi me vitin 2010.

Ndërsa shtetet ku emigrantët tanë përcaktohen të qëndrojnë janë Italia, Gjermania, Austria, Sllovenia, Kroacia, Franca dhe Kanadaja.
Por, zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Osman Shkuriu në një prononcim të tij për “Zhurnal plus” thotë se nuk pajtohet me numrin e përgjithshëm të emigrantëve që janë të regjistruar në evidencat e ndryshme statistikore të Republikës së Maqedonisë.

Ai më shkon edhe më larg duke thënë se ky numër është edhe më i madh, ndërsa vetëm shqiptarët përbëjnë shifrën prej 300- 400 mijë sosh.
“Unë nuk pajtohem me këto të dhëna. Mendoj se diku rreth 300-400 mijë shqiptarë janë jashtë vendit, e kjo lë të nënkuptojmë se ky numër i përgjithshëm që figuron në evidencat statistikore po përmbushet 80 për qind vetëm nga shqiptarët…”, vijoi zv/drejtori Osman Shukriu.

Ai pohon se praktika e braktisjes së vendlindjes nga viti në vit është zbehur.

 

“Edhe përkundër faktit që Maqedonia është e pozicionuar në vendin e 23-të nga 25 vendet me më shumë emigrantë në botë, nuk nënkupton që numri i emigrantëve në Maqedoni po rritet, por e kundërta. Për dallim nga vitet e 70-ta kur kishte një hov të madh të popullatës së Maqedonisë të cilët emigronin jashtë vendit, tani kjo praktikë ka filluar të zbehet dhe ta ulë ritmin për nga numri. Mund të përmendim disa shembuj ku më herët në Prespë, 3/4 e vajzave martoheshin në SHBA, dhe shtetet perëndimore, kurse tani kemi martesa të shumta nga vendi. Pastaj 23 korriku, i njohur si takimi i Presparëve me emigrantët, ku mblidhen të gjithë së bashku dhe kujtojnë traditat e tyre shqiptare, në mënyrë që ta nxis dashurinë e të rinjve për atdheun e tyre, dhe në të ardhmen të kthehen sa më afër familjarëve të tyre”, vlerëson Shukriu.
Ai foli më tej edhe për përpjekjet e tyre në drejtim të ruajtjes së gjuhës dhe traditave, sidomos nga ana e shqiptarëve me ndërtimin e shkollës fillore në gjuhën shqipe në Çikagos të SHBA-së.

“Përpjekjet tona si Agjenci për Migracion për dashurinë e mërgimtarëve ndaj atdheut janë relevante, duke pasur parasysh faktin që në mes të Çikagos në SHBA është hapur shkolla ‘Kongresi i Manastirit’ ku ndjekin shkollimin mbi 100-150 nxënës shqiptar në vit, dhe në këtë mënyrë ata rruajnë gjuhën dhe traditat e tyre. Agjencia jonë për organizim më të mirë të emigrantëve disponon 2 sektorë edhe atë Sektorin për çështje juridike, ekonomike dhe të përgjithshme, si dhe sektorin për mirëmbajtjen dhe përparimin e lidhjeve me mërgatën”, shtoi më tej Shukriu.

Pasi ndau Sektorët për organizim më të mirë të emigrantëve, ai sqaroi edhe rolin e tyre në mënyrë më të detajuar.

“Në Sektorin për çështje juridike, ekonomike dhe të përgjithshme kryhen punët si vijojnë: përpunimin profesional të dispozitave ligjore dhe nënligjore të Maqedonisë dhe njoftimi i mërgimtarëve me të njëjtat, informimin i mërgimtarëve për gjendjen ekonomike në Maqedoni  me mundësi për inkuadrimin  e tyre në rrjedhat ekonomike në vend, dhënia e informatave  mërgimtarëve për ri-integrimin e tyre, si dhe udhëzimin e tyre në institucionet kompetente të vendit. Në Sektorin për mirëmbajtjen dhe përparimin e lidhjeve me mërgatën kryhen punët si vijojnë: mirëmbajtjen e kontakteve të rregullta me organizatat e emigrantëve dhe me mërgimtarët individualë, informimi i shpejtë të mërgimtarëve në formë elektronike dhe nëpërmjet medieve tjera, botimi i librave dhe broshurave të cilat janë në interes të mërgimtarëve, inkuadrimin e mërgimtarëve në jetën publike dhe kulturore në Maqedoni, i ndihmon ata në zhvillimin kulturor në vendet ku jetojnë dhe i pasuron bibliotekat e organizatave të  mërgimtarëve”, ka nënvizuar Shukriu.
Ndërkohë, Agjencia për Migracion në Maqedoni ka publikuar edhe kontinentet më të populluara me mërgimtarët e Maqedonisë. Evropa është kontinenti  me më shumë emigrantë të Maqedonisë që jetojnë dhe veprojnë atje, numri i të cilëve është 244, 276 mërgimtarë. Pastaj vijnë Australia me 93,571 mërgimtarë, dhe në fund SHBA-të dhe Kanada me 43,783 përkatësisht 38 360 mërgimtarë.

Burim info: Agjencioni për Emigracion i Maqedonisë