Më mirë fabrika se shtëpi pesëkatëshe

Lajme
Rreth 400 mijë jozyrtarisht llogaritet të jetë numri i shqiptarëve në diasporë, qoftë në Evropë, Amerikë, Kanada apo gjetiu. Ndërsa nuk është i vogël as numri i atyre që kanë vendosur të investojnë me kapacitetet fitimprurëse në vendlindje. “Mërgimtarët më mirë të investojnë në mini-fabrika se sa në shtëpi me pesë kate”, porositin zyrtarët.

Mbi 100 vjet më parë, shqiptarët e Maqedonisë nisën rrugëtimin për në kurbet. Që nga ajo kohë e deri më sot, pothuaj s’ka familje shqiptare pa anëtar në mërgim. Ky proces solli edhe deri te fenomeni i boshatisjes së shumë shtëpive, shkollave e fshatrave të tërë. Të gjendur në një situatë të rëndë ekonomike, e më shpesh edhe të përndjekur nga politikat sllavo-komuniste, tash jozyrtarisht rreth 400 mijë shqiptarë jetojnë në mërgim. Numri më i madh prej tyre janë në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Australi, Kanada e në vendet tjera. Edhe pse ky numër aspak nuk është i vogël, disa nga komunat që ne kontaktuam nuk kishin asnjë të dhënë zyrtare se sa banorë të tyre sot jetojnë në mërgim. Të nisur nga shifrat jozyrtare, supozohet se Dibra, Prespa, Struga, Kërçova, Tetova, rajoni i Likovës, Gostivari janë ndër më të prekurat nga mërgimi. Sot ka persona të atillë që edhe pse shumë vite më parë kishin marrë rrugën e mërgimit, po japin kontributin e vet në drejtim të komunave me banorë kryesisht shqiptarë, respektivisht duke investuar në biznese të vogla a të mëdha dhe duke punësuar qindra bashkë-vendas. Të dhënat e Agjencisë së Migracionit tregojnë se në rajonin e Gostivarit dhe Tetovës janë investuar një varg investimesh nga diaspora shqiptare.

Për shembull, mërgimtari nga Gjermania, Azem Abdurrahimi me “Vezë Sharri”, Nagip Fejzi, një tjetër mërgimtarë nga Italia, ka investuar në fabrikën për përpunimin e qumështit në Gostivar, Shefki Idrizi mërgimtar nga Zvicra në Renova, një tjetër mërgimtarë nga Zvicra, Dashmir Saliu në fabrikën për përpunimin e drurit në Tetovë, Xhelal Jakupi për përpunimin e plastikës në Tetovë,  Fatmir Emini me fabrikën për përpunimin e letrave në Tetovë, dy mërgimtarët nga Zvicra, Idriz Kadriu me fabrikën për përpunimin e drurit dhe Ramadan Veseli me mullirin “Ballkan” në Tetovë. Së fundi, edhe investimi i dy vëllezërve nga Radusha, Nazmi dhe Nexhat Limani në fabrikën për përpunimin e kafesë në Tetovë.

400 mijë mërgimtarë shqiptarë

Zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migracionit, Osman Shukriu sqaron se një nga kompetencat kryesore të institucionit të tij është të jenë më afër diasporës, për të bindur ata që të kthehen në vendlindje, të investojnë, faktikisht të riatdhesohen në vendlindjen e tyre. Prandaj, shton ai, janë disa investime në pjesën e Tetovës, Gostivarit, Prespës, Strugës dhe shpresoj se edhe në të ardhmen, do të ketë akoma të tilla.

“Duke udhëtuar sidomos në SHBA, por edhe në Evropë, në një mënyrë i bindim që ata të investojnë në mini-fabrika, e jo të themi në ndonjë objekt. Por, diaspora shqiptare momentalisht më shumë investon duke ngritur shtëpi në pesë kate. Edhe ajo është një gjë pozitive, por unë në njëfarë mënyre i bind që ata të investojnë më shumë në mini-fabrika, në turizëm, në ekonomi, për të mbajtur rininë tonë që të mos marrë rrugën e kurbetit”, shprehet Shukriu. Ai më tej shton se në krahasim me maqedonasit, shqiptarët edhe janë në numër më shumë edhe investojnë më shumë. Shukriu sqaron se shqiptarët, në kohën e monizmit, në një farë mënyre nuk ishin të punësuar si maqedonasit, ata ishin të detyruar që të shkojnë në kurbet. Duke filluar në fillim si kurbet një nga familja dhe më vonë si shpërngulje, ku mbylleshin shtëpitë. Shukriu përkujton se para disa viteve është festuar edhe 100 vjetori i prespanit të parë të shkuar në Amerikë. “Shqiptarët që para 100 viteve kanë shkuar në kurbet, duke filluar që nga Prespa e gjitha trojet shqiptare. Prandaj ne në Maqedoni, llogaritet që kemi rreth 400 mijë shqiptarë në diasporë. Duke patur parasysh se më shumë kemi në Evropë dhe të tjerët janë në SHBA, Australi, Kanada dhe në vendet tjera”, thotë për KOHA, zëvendësdrejtori Shukriu. Sipas tij, në bazë të komunave, mërgimtarët shqiptarë janë të koncentruar në vende të ndryshme. Për shembull, dibranët dominojnë në Nju-Jork, prespanët janë në Çikago dhe Dallas edhe struganët gjithashtu janë në këtë pjesë. Sa i përket mbajtjes së ndonjë Forumi për diasporën shqiptare këtu në Maqedoni, Shukriu shprehet se këto forume i mbajnë në vendet ku ndodhen mërgimtarët. “Unë shkoj në udhëtime zyrtare në Amerikë, Evropë dhe vendet tjera dhe atje bëj takime me mërgimtarët ku bisedojmë për investime, se këtu nuk mundet që për një Forum, mërgimtarët të vijnë nga Amerika, nga Australia, kurse këtë e shfrytëzojmë sidomos gjatë verës, kur një numër i madh i mërgimtarëve janë këtu”, thotë ai.

Komunat pa të dhëna për mërgimtarët

Gazeta KOHA tentoi të sigurojë të dhëna konkrete për mërgimtarët nga disa komuna të Maqedonisë, ku kryesisht jetojnë shqiptarë. Por këto shifra, sikurse edhe shifrat se sa mërgimtarë kanë investuar nëpër komunat e tyre mungojnë. Shembull, në Komunën e Tetovës ku mërgimtarët më shumë janë në Zvicër, Gjermani, Itali e vendet Skandinave, s’kanë të dhëna as për investimet e diasporës e as për numrin e mërgimtarëve.

Një situatë e ngjashme paraqitet edhe në Strugë. Zyrtarisht, as Komuna e Kërçovës nuk ka të dhëna për numrin e mërgimtarëve, por sa i përket investimit të mërgimtarëve në vendlindje, sekretari i Komunës së Kërçovës, Ramiz Rexhepi thotë se interesimi është në rritje. “Interesimi i mërgimtarëve për të investuar në Komunën e Kërçovës është në rritje dhe komuna do të jetë në dispozicion për t’iu ndihmuar në çdo aspekt”, thotë Rexhepi. Ai më tej sqaron se në Zonën industriale që ka Komuna e Kërçovës, tanimë tokat i kanë blerë 12 shqiptarë nga gjithsej 20 blerës. Prej tyre – dy janë mërgimtarë. Njëri mërgimtarë është në përgatitje e sipër për hapjen e biznesit, ndërsa bëhet fjalë për prodhim të rripave të orës.

Ndryshe, tërheqja e diasporës së biznesit në drejtim të përmirësimit të konkurrencës së ekonomisë së Maqedonisë ishte qëllimi i Samitit global për investime, i cili në organizim të “Maqedonia 2025” u mbajt ditë më parë në Ohër. Mbi 350 pjesëmarrës diskutuan për perspektivat globale ekonomike dhe politike, klimën investuese në Maqedoni, këmbimin e përvojave nga investuesit ekzistues, bashkëpunimin me diasporën me qëllim të krijimit të mundësive të reja ekonomike, por në mesin e tyre nuk u duk të jetë ndonjë mërgimtarë shqiptarë.

Disa nga investimet e mërgimtarëve

Azem Abdurrahimi: Vezë Sharri (mërgimtarë nga Gjermania)

Nagip Fejzi: Fabrika e Qumështit Gostivar (mërgimtarë nga Italia)

Shefki Idrizi: Renova (mërgimtarë nga Zvicra)

Dashmir Saliu: Fabrikë për përpunimin e drurit në Tetovë (mërgimtarë nga Zvicra)

Xhelal Jakupi: Fabrikë për përpunimin e plastikëve “Miroplas”, Tetovë

Fatmir Emini: Fabrikë për përpunim të letrës në Tetovë

Idriz Kadriu: Përpunimin e drurit, Tetovë (mërgimtar nga Zvicra)

Ramadan Veseli: Mulliri “Ballkan”, Tetovë (mërgimtarë nga Zvicra)

Nazmi dhe Nexhat Limani: Fabrika për përpunimin e kafesë, Tetovë

(Burimi: Agjencia e Migracionit)

Diaspora dibrane

Ibrahim Kolari: Fabrikë për beton

Tuhran Rusi: Ordinancë për diagnostifikimin e kancerit të gjirit pa para

Kreshnik Cami

Atli Dubrova

(Burimi: Shoqata Atdhetare Dibrane)

Pak shifra zyrtare

Numri i përgjithshëm mërgimtarëve nga Maqedonia: 468.088

Numri i përgjithshëm i mërgimtarëve në Evropë: 244.276

Numri i përgjithshëm i mërgimtarëve në Australi: 93.571

Numri i përgjithshëm i mërgimtarëve në SHBA: 43.783

Burim info: Agjencioni për Emigracion i Maqedonisë