Me 1 nëntor 2022 u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Danimarkë, sot me 14 dhjetor, pas 44 ditëve bisedime, partia fituese Socialdemokrate formoi qeverinë e re duke e prezentuar atë para mbretëreshës së Danimarkës Shkëlqesia e saj Margrethe II.
Të enjten me 15 dhjetor në ora 10.00, mandatarja e qeverisë së re znj.Mette Frederiksen do të prezentojë kabinetin qeveritar me ministrat e rinjë.
Kjo qeveri do të jetë shumë interesante për faktin se partia Socialdemokrate (parti e majtë me 50 deputetë) ka formuar qeverinë me partinë Venstre (parti djathtiste me 23 deputet) dhe me partinë e re Moderaterne (parti qendrore me 16 deputet).
Hera e dytë në Danimarkë që formohet një qeveri e zgjëruar me parti majtiste, djathtiste dhe qendrore. Kësisoj qeverie nga të njëjtat parti Socialdemokrate dhe Venstre, Danimarka ka patur edhe në vitin 1977 dhe 1978, por ajo qeveria pati jetë të shkurtë dhe funksionoi pak më tepër se 1 vit.
Programi i qeverisë së re përmban 63 faqe dhe temat kryesore në programin janë:
- Do të punësojë 45.000 banorë
- Lehtësime tatimore personale
- Qëllim të ri për klimën dhe tatim për udhëtim me aeroplan
Tre liderët e partive qeveritare daneze znj.Mette Frederiksen (A), Lars Lykke Rasmusen (M) -ish kryeministri danez dhe Jakob Ellemen Jensen (V), sot prezentuan para mediumeve, në pika të shkurta programin qeveritar.
Këtu janë pikat kryesore të programit qeveritar:
Të rriten pagat për nënpunësit publikë
Rritja e ofertës së punës për të papunët
Paketa e urgjencës duhet të reduktojë listat e pritjes në sistemin e kujdesit shëndetësor
Magjistratura të shkurtohet nga 2 vjet në 1 vit për disa drejtime
Qendrat e punës të mbyllen
Riorganizimi i sistemit të kujdesit shëndetësor
Top-tatimi personal të ulet me reformën e re
Të rritet fondi për mbrojtjen e shtetit
Hetimi i rastit FE
Taksat e klimës në bujqësi
Të hiqet Store Bededag (dita e madhe e lutjes fetare krishtere) si ditë feste (jopune) nga viti 2024
Të paguhet tatim për klimën prej 100 DKK për çdo biletë udhëtimi me aeroplan
Danimarka ka gjithësej 179 deputet, 175 zgjedhen në Danimarkë, 2 në Ishujt Feroe dhe 2 në Groenlandë. Kjo qeveri e re e sapozgjedhur ka gjithësej 89 deputet nga Danimarka dhe 2 nga Ishujt Feroe dhe 2 nga Groenlanda, ndërsa 9 partitë tjera të vogla opozitare kanë gjithësej 86 deputet.
Nga: Bardhyl Islami