Sot u konstituua kuvendi i ri i Republikës së Kosovës

Lajme

Pas verifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë që u mbajtën me 14 shkurt 2021, të hënën me 22 mars 2021 u konstituua kuvendi i ri i Republikës së Kosovës. Me këtë  hapet rruga për krijimin e institucioneve të reja të Kosovës siç është qeveria e re dhe presidenti i ri.

Kuvendi zgjodhi si kryetar z.Glauk Konjufcën nga lëvizja Vetëvendosja, së cilës si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit në bazë të kushtetutës së Kosovës në mënyrë automatike i takon posti i kryetarit të kuvendit. Z. Konjufca mori 69 vota pro dhe 33 kundër.

Me këtë z.Glauk Konjufca automatikisht zëvendëson kështu edhe znj.Vjosa Osmanin dhe kështu ai merr edhe detyrën e ushtruesit të detyrës së presidentit të Kosovës. Këtë mandat z.Konjufca mund ta ushtrojë vetëm deri më 5 maj kur skadon afati gjashtë mujor, aq sa e lejon kushtetuta të ushtrohet kjo detyrë, që nga dorëheqja e Hashim Thaçit, i cili po gjykohet në Hagë i dyshuar për krime lufte nga Gjykata Speciale.

Glauk Konjufca si kryetar i ri kuvendi dhe njëkohësisht ushtrues i detyrës së presidentit, bazuar në Kushtetutë duhet t’i propozojë kuvendit kandidatin për kryeministër, i cili jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, paraqet për votim para kuvendit përbërjen e qeverisë së re. Sipas lëvizjes Vetëvendosja, qeveria Kurti 2 do të votohet në kuvend sot.

Konstituimi i kuvendit të ri të Kosovës i hap rrugën formimit të qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të vendit.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse të kuvendit. Partia Demokratike e Kosovës ka 19 deputetë, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka 8 deputetë. 20 vende të garantuara u takojnë pakicave, 10 nga to vetëm për serbët e Kosovës.

Nga: Bardhyl Islami