Nderim Beluli nderohet me medalje dhe me shtrëngim duarsh nga mbretëresha e Danimarkës

Lajme

Në një ceremoni madhështore në sallën e Bashkisë së Kopenhagës, të martën me 10 maj, mjeshtrit e rinj më të talentuar të vitit dhe mjeshtrit e sapo trajnuar të cilët diplomuan me notat më të larta, u nderuan me medaljen e argjendtë dhe të bronzit të Shoqatës së Zejtarëve të Kopenhagës.

Madhështinë e kësaj ceremoni e shtoi edhe prania e mbretëreshës së Danimarkës, Shkëlqesisë së saj Margrethe II. Ajo përshëndeti, nderoi dhe takoi me shtrëngim duarsh gjithë studentët e nderuar me medalje.

Nga 24 studentët më dalluar të cilët u nderuan me medalje është edhe z.Nderim Beluli me prejardhje nga Tetova, i lindur dhe rritur në Kopenhagë. Nderimi u dekorua me medalje e argjendtë si studenti më i dalluar i diplomuar me notat më të mira si instalues teknik për uji, nxemje dhe sanitari.

Tradita e dhënies së medaljeve daton që nga viti 1867, dhe asokohe ashtu si tani synimi është që më shumë të rinj të marrin arsimin profesional. Shpërndarja e medaljeve bëhet nga Shoqata e Zejtarëve të Kopenhagës në bashkëpunim me NEXT – Education Copenhagen dhe TEC.

Përveç medaljeve të Shoqatës së Zejtarëve, u nda medalja Massmann, si dhe grante nga kompanitë, repartet dhe fondacionet për një total prej 1.1 milion DKK si ndihmë për studentët që të vazhdojnë shkollimin.

Nga: Badhyl Islami

Burim info: Shoqata e Zejtarëve të Kopenhagës – hfk.dk