Ish ambasadori i Shqipërisë në Danimarkë, vlerësohet në Romë me çmimin ndërkombëtar për kontributin ndaj paqes

Lajme

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Prof. Assoc.Dr. Arben Cici vlerësohen me çmimin ndërkombëtar për kontributin ndaj paqes.

 

Gjatë një ceremonie madhështore në Romë në Godinën e Parlamentit Europian të Italisë, Piazza Venezia, në sallën David Sassuoli, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe Rektori i tij Prof.Asoc.Dr. Arben Cici u vlerësuan me çmimin ndërkombëtar për kontributin e tyre të veçantë në edukimin e kulturës së paqes dhe për kontributin në shërbim të paqes në botë. Presidenti i Organizatës ndërkombëtare Books for Peace Prof. Antonio Imeneo i dorëzoi çmimin Prof. Arben Cicit, në praninë e një audience të zgjedhur ndërkombëtare, politike, diplomatike dhe përfaqësues të medias. Zëvendes-Presidentja e Parlamentit Europian znj. Pina Pincierno, gazetari i famshëm italian Antonio Albanese, Agjencia e OKB-së UNFPA Albania, Akademia Amerikane në Romë, ish Ambasadori i Italisë në Lindjen e Mesme z. Claudio Pacifico dhe personalitete të tjera në fushën politike, akademike, të gazetarisë investigative, artit, sportit, u vlerësuan me të njëjtin çmim gjatë kësaj ceremonie për kontributin e tyre të vyer në dobi të të drejtave të njeriut, të grave dhe fëmijëve, në dobi të paqes në botë.

 

Ngritja e katedrës “Abdulaziz Saud Albabtain për një Paqe të Drejtë” e ka bërë Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë pjesë të një rrjeti të gjerë të institucioneve shkencore dhe universitare me emër. Ajo synon, ndër të tjera, ndërtimin e urave të komunikimit dhe nxitjen gjithashtu, jo vetëm të shkëmbimeve universitare dhe akademike dhe përmes tyre, mes shoqërive,  edukimin dhe sendërtimin e “një kulture të paqes”.

 

Kurrikula për një Paqe të Drejtë është bërë tashmë pjesë e Programit Master në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, në lëndën “Të Drejtat e Njeriut dhe Kultura e Paqes” gjatë së cilës profesorë, diplomatë dhe personalitete të shquara shqiptare dhe të vendeve arabe, kanë ligjëruar mbi civilizimin, kulturën dhe gjuhën arabe, mbi rajonin e Mesdheut dhe afërsitë mes kombeve dhe popujve, që jetojnë historinë dhe të ardhmen në brigjet e tij.

 

Katedra “Abdulaziz Saud Albabtain për një Paqe të Drejtë”, ka në qendër të vëmendjes edukimin, krijimin dhe përhapjen e kulturës së paqes, veçanërisht në kontekstin e ndërveprimit dhe marrëdhënieve në hapësirën arabe e mesdhetare, mes civilizimit dhe kulturës arabe dhe civilizimit dhe kulturës evropiane, përmes, ndër të tjerave, kultivimit të bashkëpunimit dhe njohjes së ndërsjellë të shoqërive, qarqeve universitare e akademike, kulturore, sociale, mediatike, ku ne jetojmë e punojmë.

 

Ky çmim dhe vlerësim i posaçëm ndërkombëtar dëshmon qartë edhe një herë për aktivitetin dhe vlerat shumëplanëshe bashkëkohorë, akademike, edukative, sociale dhe humane që mbart dhe Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe stafi i tij akademik jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe global për çështje të rëndësisë së veçantë, siç janë të drejtat e njeriut dhe paqja në botë.

 

Burim info: Gazeta telegraf.al