Asnjë fjalë për shqiptarët dhe shqipen

Lajme
24/07/2014 – Shkup Megjithëse përbëjnë shumicën e mërgatës nga Maqedonia, për shqiptarët nuk u tha asnjë fjalë, asnjë dedikim. Përfaqësuesit e shoqatave të diasporës kërkojnë ti jepet fund këtij mjerimi. “U mendova ta lëshojë Konferencën në mënyrë demonstrative, por nuk isha e sigurt nëse do të arrija diçka me këtë”, thotë Bardhyl Islami nga Kopenhaga e Danimarkës. Samet Useni nga Amerika, thotë se më mirë të mos merrte pjesë në Konferencë, kurse Rafi Ganiu kërkon që klasa politike të reflektojë përgjegjësi. Me shqetësimin e diasporës solidarizohet dhe Osman Shukriu, zëvendësdrejtori i Agjencisë së Migrimit.

I thirrën nga Danimarka, Gjermania, Amerika, Kanadaja dhe gjithandej ku shqiptarët e Maqedonisë janë të organizuar nëpër shoqata, dhe nuk ua dhanë mundësinë të dëgjojnë as edhe një fjalë në gjuhën amtare. E që ironia të jetë ende më e madhe për diasporën shqiptare, e cila sa i takon Maqedonisë përbën pjesën dërmuese të mërgatës në botë, nuk pati as edhe një dedikim të vetëm në Konferencën e diasporës organizuar nga Agjencia e Migracionit në Shkup. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Maqedonisë, ku i pranishëm ishte edhe kryetari i Parlamentit, Trajko Velianovski, si dhe drejtori i Agjencisë së Migrimit, Vasil Naumovi u dëgjua vetëm fjalime me frymë të lartë patriotike maqedonase. U premtua angazhim për kultivimin e gjuhës dhe kulturës maqedonase në botë, u prekën çështje të kontestimit të identitetit maqedonas dhe kishës ortodokse, por nuk u dëgjua as edhe një fjalë për shqiptarët dhe shqipen. Të revoltuar nga ky injorim që organizatorët u bënë përfaqësuesve shqiptarë të Maqedonisë në diasporë, ata shprehin keqardhje dhe indinjatë, kurse kërkojnë prej atyre që morën votat për të përfaqësuar shqiptarët në Qeverinë e Maqedonisë t’i japin fund gjendjes, sipas tyre, të mjerueshme në Maqedoni. “U ndjeva shumë keq kur asnjëri nuk përmendi diasporën shqiptare”, thotë Bardhyl Islami nga Kopenhaga e Danimarkës. U mendova shumë që ta lëshoj Konferencën në mënyrë demonstrative, plotëson më tej ai, mirëpo nisur nga ideja se kjo nuk do të ndryshonte gjë, vendosa të qëndrojë. “U mendova shumë ta lëshoj sallën me revoltë apo mos ta bëjë këtë. Vendosa të rri, pasi nuk e di nëse do të ishte i dobishëm ai veprim. Mirëpo, me të vërtetë jam i pakënaqur me mënyrën se si prezantohen shqiptarët këtu. Jo se jam patriot i madh, por nuk e shoh aspak të arsyeshme që gjuha shqipe të mos jetë prezent askund në këtë konferencë dedikuar diasporës nga Maqedonia”. I mllefosu shprehet edhe Rafi Ganiu nga Boni i Gjermanisë. “Është me të vërtetet e mjerueshme që mos dëgjohet fjala shqipe, në kohën kur shqiptarët dhe maqedonasit janë dy komunitet shumicë. Këtë duhet ta kenë parasysh përfaqësuesit tanë politik. Unë nuk mund të bëjë asgjë si individ, këto çështje duhet ti rregullojnë ata që kanë marrë votën për të na përfaqësuar në Qeveri”, thotë Ganiu. Neve, plotëson më tej ai, mund të ngremë zërin, apo të largohemi. “E shumta që mund të bëjmë është të tërhiqemi, por nëse largohemi – nuk mbërrimë asgjë. Duhet të qëndrojmë këtu për të nxjerrë në sipërfaqe shqiptarët, ndërsa mënyra si është organizuar konferenca, është dëshpëruese”, nënvizon Ganiu, përfaqësuesi i shqiptarëve të Gjermanisë. Nga Shoqata “Uskana” e Amerikës kishte ardhur të marrë pjesë Samet Useini, që sikurse të tjerët, provoi edhe ai shijen e dëshpërimit. Ajo që pa në Konferencë, thotë se është brengosëse jo vetëm për të, por edhe për mbi 8000 kërçovarët-anëtarë të “Uskanës”. “Brenga nisi që në hyrje të sallës, kur nuk pamë të jetë vendosur edhe flamuri ynë kombëtar, për të vazhduar me shpërfilljen e organizatorëve dhe përshëndetësit e Konferencës. Nuk është shkruar në shqip asnjë dokument dhe as Programi”. Për mua, plotëson Useini, është tepër brengosësh kjo që ndodhi sot. “Them më mirë të mos kisha marrë pjesë, por erdhëm për shkak të punonjësve shqiptarë, të cilët na dërguan ftesa, sidomos të zëvendësdrejtorit të Agjencisë.”, sqaron ai. Zëvendësdrejtori i Agjencisë, Osman Shukriu, solidarizohet me keqardhjen e përfaqësuesve të diasporës shqiptare dhe njëkohësit distancohet nga përgjegjësitë e organizimit të Konferencës. Çështjet e organizimit dhe programit janë e drejtë ekskluzive e drejtorit të Agjencisë për Migracion. “Unë nga pozitat që kam, mundohem të sensibilizojë diasporën shqiptare dhe të kontribuojë për organizimin e tyre sa më të mirë. Edhe në Konferencë kemi caktuar që të flet një përfaqësues i shqiptarëve të Çikagos”, thotë ai, kurse premton eliminimin e këtyre pakënaqësive në të ardhmen. “Do ta kemi parasysh që vitin e ardhshëm ta eliminojmë këtë pakënaqësi të diasporës shqiptare dhe në të ardhmen do të flitet edhe shqip”, premton Shukriu. Mërgimtari nga Danimarka, Islami, tregon për përvojën e hidhur nga një takim i para tre viteve me drejtorin e AM-së, Vasil Naumovin. “Në faqen zyrtare të Agjencisë qëndron se nga Maqedonia janë në migrim mbi 460 mijë qytetarë. I thashë se duhet të mbajnë uebfaqen edhe në gjuhën shqipe. Përgjigja që mora prej tij ishte se nuk duhet ti shohim gjërat me syrin e nacionalizmit”, tregon ai, ndërsa sqaron se nuk është në pyetje nacionalizmi, por mos respektimi i shqiptarëve në diasporë.

Veljanovski: Diaspora, promovuesi më i madh i Maqedonisë
Në konferencën dyditore të pestë vjetore të organizatave mërgimtare morën pjesë 115 përfaqësues nga 143 organizata të mërgimtarëve nga katër kontinentet dhe 20 mysafirë nga organizatat e maqedonasve dhe bashkësitë në fqinjësi. Ato paraqesin rreth 250.000 mërgimtarë nga Maqedonia jashtë vendit, informoi Vasil Naumov, drejtor i Agjencisë për emigracion të Republikës së Maqedonisë. Kryetari i Parlamentit, Trajko Veljanoski, i cili e hapi takimin, theksoi se kujdesi për diasporën e Maqedonisë paraqet konstantë në përcaktimet e Parlamentit dhe Qeverisë. Përkujtoi se jemi në fillim të periudhës së dytë mandatare në Parlament, ku ulen tre deputetë të zgjedhur drejtpërdrejtë nga diaspora dhe mërgata e Maqedonisë. “Këto dy dekada të pavarësisë mu diaspora e Maqedonisë ka qenë dhe do të jetë promovuesi më i madh në mbarë botën i popullit të Maqedonisë dhe identitetit të vet gjuhësor dhe kulturor, e gjithsesi me atë edhe shtetit të Maqedonisë. Qëllimi ynë është që Republika e Maqedonisë nesër të bëhet anëtare e barabartë e BE-së dhe NATO, ndërsa ato janë përcaktimet tona strategjike, të jetë konkurrente me të gjitha anëtaret e tjera në këto asociacione”, theksoi Veljanovski.

 

Nga: Laura PAPRANIKU

Burim info: gazeta KOHA – Maqedoni