Shqipja në diasporë, dëshpëruese

Lajme
Dikur shqiptarët e diasporës i kthenin xhamitë dhe kishat në mësonjëtore të ABC-së, kulturës dhe historisë shqiptare. Tani që mësimi i shqipes në Gjermani, Zvicër, Danimarkë e gjetkë mund të bëhet në mënyrë të organizuar dhe institucionale, shqiptarët nuk po tregojnë interesim. “Është dëshpërues interesimi për mësimin e shqipes”, thotë Bardhyl Islami, arsimtar në Danimarkë. Për situatë të njëjtë flet dhe Rafi Ganiu, arsimtar në Gjermani.

Mungesa e interesimit në masë të shqiptarëve për të mësuar gjuhën shqipe në shtete e dyta apo të treta ku ata jetojnë prej vitesh, po privon të rinjtë nga e drejta për mësimin dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare. Në kohën e ish-Jugosllavisë, mësimi i shqipes organizoheshe deri nëpër xhami dhe kisha pasi shtete si Amerika, Gjermania, Zvicra, Danimarka, Suedia dhe tjera… e kanë kuptuar me kohë se toleranca dhe mirësia kthehen me të njëjtat monedha. Mirëpo, sot – kur shqiptarët e diasporës pritet të jenë më të organizuar dhe të shijojnë në masë më të madhe të drejtat që u ofrohen në shtete mirëpritëse, ndodhë e kundërta. Bardhyl Islami, arsimtar i gjuhës shqipe në Danimarkë, thotë se është dëshpëruese të thuhet, por shqiptarët nuk janë të interesuar sa duhet për t’ju mësuar fëmijëve të tyre gjuhen dhe kulturën shqiptare nëpër shkolla. “Shtetet skandinave janë tepër tolerante në këtë drejtim. U mundësojnë komuniteteve të ndryshme të ruajnë dhe të kultivojnë gjuhën dhe traditat e veta. Veprojnë sipas parimit ‘respektoje njeriun ashtu siç është’. Kështu që edhe Danimarka e lejon mësimin në gjuhën amtare për shqiptarët në shkollat e vendit”, thotë Islami.

Shtetet Skandinave, ku bën pjesë edhe Danimarka, plotëson më tej ai, kanë një parim që thotë “Nëse e njeh veten, do të njohësh edhe të tjerët”, pra do ti respektosh të tjetër. Prandaj, Ministria e Arsimit në Danimarkë e lejon mësimin në gjuhën amtare për të gjithë komunitete jo danezë atje. Islami, me origjinë nga Tetova dhe vendbanim në Kopenhagë, tregon se në Danimarkë funksionojnë tre radio lokale në gjuhën shqipe të cilat financohen nga shteti i atjeshëm. Pra mënyrat për tu organizuar në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare janë të shumta, ndërsa nuk mungojnë festat me karakter kombëtar si dhe rastet e kremtimit të datave historike. Ajo ku ngecë për momentin organizimi i komunitet shqiptar në vendet skandinave, thotë se është mësimi i shqipes nëpër shkolla, edhe pse i lejuar nga shteti. “Interesimi i shqiptarëve për të mësuar në gjuhën amtare, fatkeqësisht mungon. Është dëshpëruese ta them, por interesimi bie nga dita në ditë”. Arsyet, thotë se janë të shumta, por më e shpeshta, sipas Islamit, ka të bëjë me mungesën e vullnetit. “Për një pjesë të madhe të shqiptarëve është e rëndë që paralelisht të mësojnë edhe gjuhën dhe rendin e vendit ku jetojë dhe njëkohësisht gjuhën dhe traditat e vendit nga kanë ardhur. Ka edhe përjashtime, sigurisht. Ata që kanë dëshirë i bëjnë të dyja, por në përgjithësi ka rënie në interesimin e prindërve për ti dërguar fëmijët nëpër shkolla ku organizohet mësim në gjuhën shqipe”, shpjegon Islami.

 

Për situatë të ngjashme flasin edhe arsimtarët e Gjermanisë. Rafi Ganiu, mësues në Bon dhe Vuterpal të Gjermanisë, tregon se shteti mirëpritës ua lejon shqiptarëve që të mësojnë gjuhën dhe kulturën e tyre në shkollat e shtetit, si lëndë plotësuese. “Ka shkolla ku mërgimtarët tanë ndjekin rregullisht mësim në gjuhën shqipe edhe atë në disa lëndë: gjuhën dhe letërsinë, historinë, gjeografinë, muzikën dhe vizatim. Mirëpo për momentin, numri i shkollave ku realizohet kjo e drejtë ka rënë në tre”, tregon Ganiu. Pra, është ai që jep orë mësimi në Bon dhe Vuterpall si dhe një tjetër në Dizeldorf. Deri para tre viteve ishte edhe një arsimtar i tretë që jepte mësim në Hamburg, mirëpo në këtë qytet ku edhe nisi të legalizohet për herë të parë mësimi shqip dhe u themeluan të parat xhami të shqiptarëve, ka humbur gjithashtu internimi për mësimin e shqipes.

 

Imami i xhamisë së shqiptarëve në Hamburg, Zurhajat Fejzullau, tregon se vite më parë, për mësimin e shqipes ishte adaptuar një klasë në hapësirat e xhamisë. “Mirëpo, ka disa vite që nuk sjellin më mësues për gjuhën e shqipes. Çdo herë e gjejnë ndonjë arsyetim, mungon ky apo ai dokument”, thotë Fejzullau.  I kënaqur që ushtron profesionin e imamit në Gjermani, ai thotë se kanë bërë atje gjëra që s’do të mundeshim ti bënin në Maqedoni dhe se bashkëpunimi me shtetin gjerman është në nivel të korrektësisë. “Në Hamburg., islami u pranua zyrtarisht si fe dhe u regjistrua në mesin e besimeve tjera, ndërtuam xhaminë e parë dhe hapëm shkolla”, shprehet imami, ndërsa shprehë keqardhje që mijëra shqiptarë nga Maqedonia në Hamburg nuk kanë një mësues që t’jua mësojë gjuhën dhe kulturën. “Feja dhe gjuha janë dy gjëra të shenjta, të cilat përpiqemi ti ruajmë dhe kultivojmë, si bazë të identitetit tonë. Janë damarët kryesorë të identitetit, sepse nëse ndërpritet njëra, atëherë thahet edhe tjetra. Më vjen shumë keq që nuk na e dërgojnë një mësues fëmijëve shqiptarë t’u mësojë gjuhën dhe kulturën shqipe”, shprehet Fejzullau.  Arsimtar Ganiu vëren si tepër shqetësuese mungesën e interesimit të shqiptarëve për të siguruar mësues. Krahasuar me interesimin e komuniteteve tjera jo vendase (turq, grekë apo rusë) që jetojnë në Gjermani, shqiptarët janë shumë mbrapa. Pra, nënvizon ai, nuk tregojnë interesim shumë të madh për ruajtjen e identitetit kombëtarë dhe gjejnë çdo herë arsye të ndryshme. Kjo, sipas tij, është dukuri shumë negative. “Sepse, qindra mijëra shqiptarë nga Maqedonia të shpërndarë nëpër botë, përveç se janë faktor relevant për krijimin e opinionit se si të tjerët na perceptojnë, padyshim që janë edhe potencial i konsiderueshëm për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës sonë”, thotë Ganiu. Për këtë të fundit, padyshim se ju ndihmon edhe toleranca e shteteve mirëpritëse, por që fatkeqësisht nuk shfrytëzohet sa duhet nga shqiptarët e diasporës.

 

Nga: Laura PAPRANIKU

Burim info: gazeta KOHA – Maqedoni