Me reformën e re arsimore në Danimarkë (ligji 409 i shkollës fillore) që filloi së zbatuari në vitin shkollor 2013/2014 dhe vazhdon ende, çdo mësues duhet të punojë gjitha orët (afërsisht 42 orë punë) vetëm në lokalet e shkollës.
Çdo punëtor (inkluzivisht dhe mësuesit) kanë të drejtë pushimi vjetor prej:
– 5 javë (5 javë x 37 orë= 185 orë).
– 6 ditë = festë shtetërore dhe fetare ( 6 ditë x 7,4 orë = 44,4 orë)
– 3 ditë = 2 ditë festa e krishtlindjes + 1 ditë festa e vitit të ri (3 ditë x 7,4 orë = 22,2 orë)
– Dmth nga 1924 orë vjetore – 185 – 44,4 – 22,2 = 1672,4 orë punë në vit.
Këto 1672,4 orë vjetore, mësuesi duhet ti punojë me nxënësit në lokalet e shkollës mbrenda vitit shkollor prej 40 javëve, që dmth 1672,4 : 40 javë = 41,82 orë punë ka mësuesi në Danimarkë në javë dhe orët duhet ti mbajë në lokalet e shkollës.
Në këto 41,82 orë, çdo mësues ka orë për:
– mbledhje të shkollës
– mbledhje me timin (mësuesit tjerë që japin mësim në të njëjtat klasa)
– mbledhje me mësuesit që japin të njëjtën lëndë
– mbledhje për aktivitetet shkollore
– mbledhje me pedagogët e shtëpisë së kohës së lirë pas shkollës
– mbledhje prindore
– takime individuale me prindërit
– kujdestari me nxënësit në pushim
– 30 minuta në ditë për pushim/ushqim
– përgatitje për mësimdhënie
– aktivitete me nxënësit
– dhe 27 orë mësimore në javë
Me reformën e re në arsim në Danimarkë, drejtorit të shkollës i është dhënë shumë kompetenca, sa që çdo drejtor ka autonominë e vet për administrimin e shkollës: orëve të çdo mësuesi, orëve të klasave/ nxënësve, ekonominë e shkollës, etj.
Reforma ka anët e veta pozitive, por ka edhe anët e veta negative për vet nxënësit dhe mësuesit. Një ndër anët e dëmshme të reformës së re në arsimin e Danimarkës, ku gjithë nxënësit / mësuesit në Danimarkë e ndjejnë është: orari i gjatë i nxënësve dhe i vet mësuesve, bashkimi i klasave dhe numri i madh i nxënësve në klasa (çdo klasë ka nga 24 – 28 nxënës) dhe mbyllja e shkollave speciale dhe plasimi i atyre nxënësve me nevoja speciale në klasat normale.
Nga: Bardhyl Islami