Opinion nga Prof. As. Dr. Arben Cici për librin e kryeministrit të Malit të Zi z.Dritan Abazoviç

Lajme

Zhveshja nga kostumi i politikanit Abazoviç në librin e tij “Kritika e etikës globale”

 

Kur fillova të lexoj librin e Kryeministrit, prisja të zhytesha në një pamflet politik, në një platformë elektorale ambicioze, drejtuar lexuesve-votues; prisja të hasja sllogane të betejave politike dhe elektorale të ditës, të fshehura nën petkun e një eseje me temë mediatikisht bombastike, por sinqerisht, u zhgënjeva pozitivisht.

 

Sa më shumë lexoja, më thellë kuptoja Doktor Abazoviçin, në një mision krejt tjetër. Misionin e një filozofi, sociologu, ekonomisti, diplomati, intelektuali. Misionin e një individi, të shqetësuar për të kuptuar dinamikën dhe brendinë e dukurive të përditshme, për të cilat pak vetë rreken të pyesin, si ndodhi dhe pse ndodhi?

 

Doktor Abazoviç ka hequr kostumin e politikanit për të analizuar, në librin e tij “Kritika e etikës globale”, në mënyrën më realiste dhe therrëse, çështje jetike të individit, të familjes, shoqërisë, shtetit, kombit dhe shoqërisë globale, të lidhura në një korrelacion të pazgjidhshëm dhe ku, ekuilibrat peshues të globalizimit janë gjithmonë në kufirin e zbrazësisë ideologjike.

 

Po, sot globalizmi është kthyer nga një ideologji frymëzuese në një ideologji sunduese, po aq sa edhe në një proces të papërmbushur në aspiratat e tij sociale, ekonomike dhe politike. Në librin e Doktor Abazoviç, debati mbi etikën rreth këtij procesi të komplikuar, në kohë dhe në hapësirë, na kthjellon të shohim qartësisht të dy anët e kësaj monedhe të quajtur globalizim. Optimizmi dhe kurajoja e trajtimit realist dhe kapilar të kësaj çështjeje, të ndërthurur me të gjitha aspektet dhe ngjyrimet e saj, u jep lexuesve shpresën për një të ardhme më të mirë, falë marshit të pandalshëm të globalizimit universal.

 

Por, Doktor Abazoviç, nëpër rreshtat e studimit të tij, nënvizon shqetësimin për ndërgjegjësim dhe orientim të përgjegjshëm të procesit, nga të gjithë aktorët, kombëtarë, ndërkombëtarë, shumëkombëtarë, veçanërisht politikë dhe ekonomikë, që dehja e suksesit të përkohshëm dhe të pjesshëm të mos kthehet në verbëri ndaj sfidave, gabimeve, shtrembërimeve të karakterit etik, social, demokratik dhe njerëzor.

 

Ky studim u hap sytë të përgjumurve dhe shkund të pashpresët, zbret me këmbë në tokë euforistët dhe ndërgjegjëson shoqërinë që të drejtojnë gishtin e përgjegjësisë, për dëmet anësore të globalizimit, drejt aktorëve, lokalë, kombëtarë, ndërkombëtarë dhe shumëkombëtarë, politikë e diplomatikë, shtetarë dhe jo shtetarë, në mënyrë që anija e globalizmit të mos batohet nga pesha e mëkateve, por të lundrojë drejt ujërave të pastra dhe jo drejt kënetës të pashpresë.

 

Paradigmat e përgjegjësisë, kolektive ose individuale apo piramidale në shoqëritë post-moderne, post-liberale, të globalizuara pjesërisht ose masivisht, trajtohen, jo vetëm në formën e një debati teorik, etiko-filozofik dhe politik, por edhe në aspektin praktik të impaktit të drejtpërdrejtë ndaj demokracisë, në çapitjen e vështirë të saj, në shoqëritë post-socialiste, dhe jo vetëm.

 

Problemet e demokracisë në shoqëritë e etiketuara “demokratike” duket se shpesh janë më të prehta dhe se nuk lëvizin me rritmin e “një shoqërie bashkëkohore të qëndrueshme dhe optimiste politikisht, ekonomikisht, kulturalisht, etnikisht, si një kohezion i pranueshëm dhe bashkëjetesë e kërkuar, në planin kombëtar dhe në atë ndërkombëtar”,- nënvizon Abazoviç.

 

Globalizmi është një transformin historik i këtij shekulli. Ai po transformon katërcipërisht jetën dhe shoqërinë. Falë edhe zhvillimit teknologjik dhe robotizimit social ai nuk ka sfidues. Por, mungesa e kësaj sprove jetike për zhvillim konkurues duket se cdo ditë na bën dëshmitarë të ndërtimit të një sistemi të papërsosur qeverisës global, jo plotësisht të bazuar në parimet etike.

 

Abazovic shqetësohet se vlerat dhe interesat e qytetarit kanë humbur para interesave të korporatave, si edhe interesave të grupimeve të veçanta. Dobësimi i shtetit dhe rolit të tij funksional, udhëheqës dhe social nga një anë, dhe forcimit të globalizimit autoritar dhe hegjemonist në anën tjetër, janë këmbanë alarmi që institucionet globale të mos kthehen në diktatorë globalë dhe regjime burokratike, të cilat largohen nga realiteti, duke tkurur dhe kufizuar interesat e më të vegjëlve, më të pamundurve e më pak të zhvilluarve, individë, shoqëri, shtete apo kombe.

 

Në këtë terren të mjegulluar, realpolitika ndërkombëtare gjen lehtas hapësirën e saj të shfaqë edhe më shumë arrogancën, duke e kthyer të drejtën ndërkombëtare në procedurë të interesave të shteteve të mëdha e të fuqishme, politikisht dhe ushtarakisht, në nivelin global.

 

Pyetja që, nuk e ka shtruar enkas Doktor Abazovic, por që dukshëm e nënkupton rëndësia e studimit të tij është dilema se ku janë Shqipëria, Mali i Zi dhe Ballkani jonë i dashur, por i vogël, në këtë vozitje të pazakontë, të komplikuar dhe me busulla të ndryshme, të anijes së gobalizimit në detin e trazuar të marrëdhënieve ndërkombëtare?

 

A na e lehtëson, na e rëndon apo na e zgjidh brengën e madhe të fatalitetit të të qenurit i vogël, apo sjelljes iracionale për t’u dukur i madh, përballë të fuqishmëve të vërtetë?

 

Libri “Kritika e etikës globale” është ndërtuar mbi një bibliografi të pasur, të gjerë e të larmishme dhe meriton një vend shumë të rëndësishëm në serinë e veprave politiko-filozofike, socio-ekonomike dhe diplomatike të autorëve shqiptarë të cilave, besoj shumë, do t’u referohet Kryeministri Abazovic në veprat e tij në të ardhmen.

Nga Prof. As. Dr. Arben Cici

Prorektor në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë (ish ambasador i R. së Shqipërisë në Danimarkë)

 

Burim info: Gazeta Telegraf – www.telegraf.al