“Mirëqenia” e banorëve në Maqedoni

Lajme
Populli thotë: Ndonjërit si i niset, ashtu i bitiset. Por ja që tash kanë ndryshuar kohërat dhe në këtë kohë tranzicioni ndodh që: Ndonjërit tjetërkush ia nis dhe krejt tjetërkush ia bitis.

Kjo gjë ndodh në Maqedoni, ku për vendimmarrjen e banorëve të MK të moshës mbi 45 vjeç por që janë të pavetëdijshëm se çka duan, fakturën do ta paguajnë fëmijët e tyre të moshës ndër 30 vjeç. Ndërsa për banorët e MK të moshës nga 30 deri më 45 vjeç, të mjerët ata, do ta kenë një pleqëri të rëndë pa para, pa penzion, pa respekt nga fëmijët e tyre dhe nga shoqëria, pa ilaçe ndoshta dhe pa shtëpi/banesë. Me një fjalë janë gjenerata e sakrificës për prindërit e tyre dhe për fëmijët e tyre.

Bej krahasimin me popullin danez ku paraardhësit e tyre që nga 5 qershori 1849 kanë bërë kushtetutën e tyre demokratike dhe tani gjeneratat e reja jetojnë si populli më i lumtur në botë. Respekt për gjeneratën e vjetër të mençur që kanë bërë këto kushte jetese dhe standard jetësorë që gjithë banorët e Danimarkës pa dallim race/feje të jetojnë të lumtur dhe në mirëqenie.

Me këtë shkrim dua të ngacmoj banorët e Mk që të mendojnë më mençurisht gjatë vendimmarrjes për ardhmërinë e të gjitha moshave pa dalllim race/feje që të jetojnë të lumtur dhe në mirëqenie, sepse vitet ecin dhe gjeneratat ndërrohen.

Nga: Bardhyl Islami