Në fillim të viteve të 90-ta, diaspora shqiptare tuboi nga 3% të rrogave të veta për Kosovën dhe bashkimin e trojeve shqiptare. Pastaj u formua Universiteti i Tetovës, përsëri disapora tuboi para për të. E më pas diaspora tuboi para për: UÇK e Kosovës; UÇPMB në Preshevë; UÇK në Maqedoni; para për rindërtimin e atdheut dhe ndihma humanitare për atdhetarët pas luftërave; për ndërtimin e shtëpiave, xhamive në atdhe; për udhët, kanalizimet, ujësjellësin në atdhe; për rastet e konflikteve luftarake në Maqedoni si rasti i Ladërishtit, Brodecit dhe tani ky i fundit në Kumanovë.
Konflikti i fundit i Kumanovës preku drejtpërdrejtë diasporën shqiptare në Danimarkë. Përveç tubimit të parave për ndihmë në Kumanovë, gurbetqarin e Danimarkës e goditi edhe një fenomen i ri. Kopenhaga është stërmbushur me “turistë” nga Maqedonia. Thuajse në çdo familje gurbetqari, ka ardhur nga një /mës shumë anëtar të familjes nga Maqedonia, që duhet përkujdesur. Ky fenomen vërehet shumë mirë edhe nëpër shoqata, klube dhe xhami, ku shihet një numër i madh i “turistave” nga Maqedonia.
Pas 9 majit, diaspora shqiptare në Danimarkë ka filluar me tubimin e parave për të ndihmuar familjet në Kumanovë. Tre xhamitë shqiptare këtu në Kopenhagë, pas cdo falje të xhumasë tubojnë afërsisht nga 40.000 korona daneze. Pastaj, tubimi i të hollave bëhet edhe nëpërmjet shoqatave shqiptare këtu në Danimarkë si dhe nga Radio Projekti (radio lokale në gjuhën shqipe këtu në Kopenhagë).
Punët nuk janë hiq më mirë as në Shqipëri, Kosovë dhe në Preshevë. Korupcioni dhe keqpërdorimi i buxhetit shtetërorë nga pushtetarët ndikon në xhepin e çdo qytetari dhe në krijimin e krizave në atdhe.
Zinxhiri i krizave vazhon edhe më tej. Një fenomen tjetër që më pengon është dhe polarizimi i shqiptarëve. Viteve të fundit vërehet dhe një polarizim i shqiptarëve në NE dhe ATO (NE = vendasit në atdhe dhe ATO = gurbetqarët).
Shpresoj, shqiptarët ta kapërcejnë edhe këtë krizë dhe të mos ketë më kriza në atdhe. Por shpresoj edhe shqiptarët në atdhe të mbushen me mend dhe të lëvizin nga pika zero.
Nga: Bardhyl Islami