Diaspora e PAINTERESUAR të votojë nëpër përfaqësitë diplomatike të RMV në zgjedhjet 2020, apo …?!

Lajme

Dilema 1: a është diaspora e painteresuar për të votuar nëpër përfaqësitë diplomatike të RMV, apo përfaqësitë diplomatike, partitë dhe qeveria e RMV janë të painteresuar për diasporën e vet?!

Dilema 2: pse diaspora e RMV është shumë e interesuar të votojë në atdhe dhe nuk është aspak e interesuar të votojë nëpër përfaqësitë diplomatike të RMV?!

Sipas Kodit Zgjedhor të RMV, diaspora ka listë të posaçme zgjedhore dhe ka të garantuar 3 vende për deputet të zgjedhur vetëm nga votat e diasporës. Por edhe këtë rradhë, diaspora e RMV nuk tregoi interes për të votuar nëpër përfaqësitë diplomatike të RMV në zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2020 në RMV!

Të martën me 14 korrik 2020 do të votojnë vetëm 6.096 persona që janë regjistruar në listën zgjedhore të diasporës dhe që kanë fituar të drejtën të votojnë nëpër përfaqësitë diplomatike të RMV nëpër botë, nga afërsisht 450.000 banorë të RMV të moshës madhorë që kanë të drejtë të votojnë në diasporë.

Në Danimarkë në ambasadën e RMV janë regjistruar vetëm 72 persona në listën zgjedhore të diasporës që do të votojnë në këto zgjedhje. Nga mosinteresimi i diasporës, edhe partitë politike nuk kanë nxjerr shumë kandidatë potencial dhe adekuat për këto zgjedhje. Vetëm 6 parti kanë nxjerrë kandidat në njësinë zgjedhore numër 7 për diasporën, ndërsa nga partitë shqiptare vetëm BDI kandidon me 3 kandidatë.

Ka shumë dilema dhe paqartësi rreth të drejtës së votimit dhe mënyrës së votimit të diasporës së RMV. Do të përmendi disa arsye që diaspora nuk tregon interesim për votim nëpër përfaqësitë diplomatike të RMV:

  • numri jo i saktë i banorëve që jetojnë në RMV dhe në diasporë
  • mosinformimi i mjaftueshëm i diasporës nga përfaqësitë diplomatike, partitë politike dhe qeveria e RMV
  • mosinteresimi i partive politike për diasporën
  • mosinteresimi i përfaqësive diplomatike dhe qeverisë së RMV për diasporën
  • manipulimi i votave të diasporës në zgjedhjet e mëparshme
  • mosbesimi tek punonjësit nëpër përfaqësitë diplomatike për shkak të përkatësive partiake të tyre
  • manipulimet me regjistrimin e diasporës në listë të posaçme zgjedhore

Shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme të ndryshojë kodi zgjedhor për votimin e diasporës.

Diaspora është e interesuar për:

  • votim digjital online
  • votim me postë digjitale
  • votim në atdhe dhe zgjedhjet çdoherë të mbahen gjatë pushimeve të verës kur diaspora është në RMV.

Lista zgjedhore për diasporën e RMV në zgjedhjet 2020

Nga: Bardhyl Islami