Çfarë dmth statusi LOCKOUT për mësuesit në Danimarkë?

Lajme
Me këtë status mësuesit janë të larguar nga puna, duhet ti dorëzojnë çelësat e shkollës, nuk kanë të drejtë të takohen në shkollë, nuk do të marrin rroga, nuk kanë të drejtë të punojnë punë tjetër gjatë kësaj periudhe, nuk kanë të drejtë të marrin të ardhura tjera si psh. nga sindikata ose ndihmë sociale, në këtë periudhë u ndërpritet stazhi i punës dhe u ndërpriten të dhënat për penzion.

Ky status i përfshin gjithë mësuesit që janë anëtarë të sindikatës së mësuesve të Danimarkës (DLF), mësuesit që janë me marrëveshtje pune me afat të pacaktuar që në numër janë afër 44000 mësues, ndërsa në këtë nuk përfshihen mësuesit që janë me vendim pune afër 12000 mësues (vendim pune është dhënë në Danimarkë deri në vitin 1997, pas këtij viti ka vetëm marrëveshtje me afat të pacaktuar).

 

Kjo gjendje LOCKOUT ka konsekuenca edhe për nxënësit. Në shkollë nuk do të ketë mësim të rregullt, për shkak se vetëm mësuesit me vendim do të jenë në shkollë dhe ato janë të paktë që të mbajnë mësim për gjithë shkollat. Gjithashtu në këtë status LOCKOUT nxësësi nuk është i obliguar të shkojë në shkollë sepse nuk do të mbahet evidencë për mungesa.

 

Çfarë është dallimi në konfliktin mes këshillit të komunave të Danimarkës (KL) dhe sindikatës së mësuesve të Danimarkës (DLF)?

Këshilli i komunave të Danimarkës në marrëveshtjen e re OK13 propozon që:
– Shkollat në Danimarkë të bëhen shkolla gjithëditore, dmth nxënësit të kenë më shumë orë mësimore nga ora 8.00 – afërsisht 15.00
– Mësuesit të japin mësim më shumë orë mbrenda javës, sot mesatarisht një mësues me marrëveshtjen OK08 jep mësim 25 orë mësimore në javë, KL kërkon që një mësues të japë mesatarisht 28 deri në 30 orë mësimore
– Orët për tu pregatitur mësuesi duhet të reduktohen, dhe për këto orë të vendosë inspektori (drejtori) i shkollës për secilin mësues se sa orë ai të pregatitet në lëndët qe jep mësim
– Mësuesit të punojnë 37 orë në javë vetëm në shkollë, dmth të pregatiten, të japin mësim, të kontaktojnë me prindërit, të mbajnë mbledhje, të vlerësojnë nxënësit dhe ti shkruajnë vlerësimet e tyre për nxënësit, të kontrollojnë testet e nxënësve vetëm në lokalet e shkollës mbrenda orës 8.00 – 16.00
– Etj.

 

Sindikata e mësuesve të Danimarkës propozon:
– Përderisa marrëveshtja OK08 ka kallzuar suksese në disa aspekte, me ato duhet të vazhdohet
– Duhet disa ndryshime, psh mësuesit të përdorin më tepër kohë në lokalet e shkollës
– Mësuesit të punojnë sipas rregullave të njëjta të punës sikurse 80% të të punësuarve nëpër komuna
– Mësuesit të japin mësim 25% orë më tepër se sot
– Inspektori (drejtori) i shkollës të ketë kompetenca të vendosë për orët për përgatitje për çdo mësues, por të ketë një fond të orëve për përgatitje që çdo mësues të ketë për përgatitje minimum 2 minuta për çdo nxënës në klasë për çdo orë mësimore.
– Etj.

Më tepër për këtë konflikt mund të lexoni në www.dlf.org (vetëm në gjuhën danishte)

Nga: Bardhyl Islami